Prishja e marrëveshjes ushtarake që Australia kishte me Francën për disa nëndetëse bërthamore ka ndikuar edhe në samitet që do të zhvilloheshin mes BE-së dhe Australisë.
Shtyrja e këtyre takimeve që kishin kohë që përgatiteshin vjen pasi Australia anuloi kontratën miliarda dollarëshe për 12 nëndetëse franceze, duke zgjedhur të blinte në vend të tyre ato të prodhuara nga amerikanët.
“Raundi tregtar i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë është shtyrë për një muaj, deri në nëntor,” tha një zyrtar i BE-së në Canberra, duke vënë në dyshim të ardhmen e paktit, transmeton Ora NEWS.
Vendimi i muajit të kaluar nga australianët shkaktoi një përplasje të madhe diplomatike me një nga anëtarët më të mëdhenj të Bashkimit Evropian dhe tani duket se ka goditur lidhjet me të gjithë bllokun europian.
Franca ka thënë publikisht se nuk mund t’i besojë qeverisë australiane, duke akuzuar zyrtarët për gënjeshtra dhe ka hedhur dyshime nëse marrëveshja tregtare mund të vazhdojë.
Ministri Australian i Tregtisë Dan Tehan u prononcua për rastin duke thënë se e kuptojmë reagimin francez ndaj vendimit tone për nëndetëset, por në fund çdo komb duhet të veprojë në dobi të interesit të tij kombëtar, dhe kjo është ajo që Australia ka bërë,” tha ai në një deklaratë.
Bashkimi Europian është partneri i tretë më i madh tregtar i Australisë. Ky raund bisedimesh që është shtyrë duhej të mbulonte fushat për tregtinë, shërbimet, investimet dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Negociatat filluan në vitin 2018 dhe zyrtarët kishin shpresuar të arrinin një marrëveshje përfundimtare deri në fund të vitit.
Në përgjigje të vendimit të marrë nga qeveria australiane, francezët tërhoqën ambasadorët nga Canberra dhe Washingtoni. Ambasadori i Francës u kthye në Shtetet e Bashkuara të Mërkurën, por ende nuk ka asnjë të dhënë se kur do të kthehet ambasadori francez në Australi.