UBT News

Ilzer konfirmon mungesën e Asllanit në ndeshjen hapëse të Bundesligës

Fisnik Asllani nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të sezonit të ri në Bundesligën gjermane me Hoffenheimin.

Lajmin e ka konfirmuar të premten trajneri i skuadrës, Christian Ilzer, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Kolnin.

“Fisit i duhet edhe pak kohë për të qenë plotësisht i gatshëm për skuadrën”, ka deklaruar Ilzer.

Sulmuesi 24-vjeçar i Kosovës i nisi me vonesë përgatitjet për sezonin e ri, për shkak të një problemi të lehtë në gju.

“Ai gradualisht do të marrë pjesë më shumë në stërvitje”, ka shtuar trajneri i Hoffenheimit.

Asllani gjatë kësaj vere ishte pranë transferimit te Leipzigu, por marrëveshja dështoi në momentet e fundit, raportohet për shkak të gjendjes së tij fizike. Më pas, në garë për shërbimet e tij u rikthye edhe Borussia Dortmundi, por e ardhmja e sulmuesit kosovar ende mbetet e paqartë.

Në sezonin e kaluar, Asllani ishte një prej lojtarëve më të spikatur të Hoffenheimit, duke realizuar 11 gola dhe 10 asistime në Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë.

Hoffenheimi e nis sezonin të shtunën, kur nga ora 15:30 përballet me Kolnin.

Në skuadrën e Hoffenheimit aktivizohen edhe dy futbollistë të tjerë me prejardhje kosovare, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.

D.L

Exit mobile version