Historia e rezistencës shqiptare në Kosovë do të rikthehet përmes dokumenteve, dëshmive dhe kujtesës në Muzeun e Burgut të Prishtinës, ku do të mbahet ligjërata “Arkiva në pezullim: Kohështrirjet e Lëvizjes së Rezistencës në Kosovë”, me antropologen, historianen dhe shkrimtaren Eli Krasniqi.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të programit “PRISON x RESISTANCE” dhe i kushtohet historisë dhe arkivit të fragmentuar të Lëvizjes Shqiptare të Rezistencës në Kosovë, të njohur si “Ilegalja”.
Në qendër të masterclass-it do të jenë ditarë, shkrime burgu, botime ilegale, procesverbale gjyqësore, këngë dhe dëshmi të mëvonshme, të cilat do të shqyrtohen si pjesë e arkivit të kësaj lëvizjeje.
Sipas organizatorëve, historia e “Ilegales” nuk është ruajtur në një arkiv të vetëm, por është shpërndarë në dokumente, kujtime dhe dëshmi që kanë mbijetuar ndër vite. Kjo e bën arkivin e saj të fragmentuar, ku krahas materialeve të ruajtura mbeten edhe dëshmi që janë humbur, fshehur apo janë rrëfyer shumë më vonë.
Ligjërata do të trajtojë mënyrën se si ilegaliteti, burgosjet, fshehja dhe rrëfimet retrospektive kanë ndikuar në ruajtjen dhe interpretimin e historisë së kësaj lëvizjeje.
Mbajtja e aktivitetit në Muzeun e Burgut të Prishtinës i jep temës një dimension të veçantë, pasi diskutimi për rezistencën zhvillohet në një hapësirë të lidhur drejtpërdrejt me historinë e burgosjeve dhe represionit.
Masterclass-i do të zgjasë 90 minuta dhe organizohet nga Prison Radio, Ambasada e Austrisë në Prishtinë dhe Stralli./A.K/
