UBT News

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Exit mobile version