Në kuadër të Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike, Departamenti i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) organizoi një trajnim profesional mbi metodën e mikrodilucionit në bujon, e cila përdoret për testimin e ndjeshmërisë ndaj antimikrobikëve (AST) dhe përcaktimin e përqendrimit minimal frenues (MIC).
Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Institutit Robert Koch (RKI) dhe IKSHPK-së, ndërsa ligjëratat u mbajtën nga Dr. Afërdita Kuqi-Hyseni dhe Dr. Afërdita Kurti-Meta.
Në këtë trajnim morën pjesë 40 mikrobiologë dhe laborantë të Departamentit të Mikrobiologjisë, si dhe profesionistë nga gjashtë Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe harmonizimin e praktikave laboratorike.
Sipas IKSHPK-së, forcimi i njohurive dhe kapaciteteve laboratorike kontribuon drejtpërdrejt në sigurimin e rezultateve të besueshme, përzgjedhjen e trajtimit të përshtatshëm mjekësor dhe përdorimin e përgjegjshëm të antimikrobikëve. /E.A/
