UBT News

IKShPK konfirmon 99 të prekur me fruth dhe apelon për vaksinim të menjëhershëm të fëmijëve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka nxjerrë një përditësim mbi situatën epidemiologjike në vend, ku njofton se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth. Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin raportuar 65 raste.

Sipas të dhënave të institutit, vatrat kryesore të infeksionit mbeten Prishtina me 33 raste dhe Fushë-Kosova me 25 raste, të ndjekura nga Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Rastet e tjera janë shpërndarë në numër më të vogël në komunat si Drenas, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e mundshme, IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë kartelat e vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin e fëmijëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare sipas kalendarit të rregullt. Po ashtu, instituti u bën apel qytetarëve që me shfaqjen e simptomave të para — si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë — të paraqiten menjëherë për kontroll në institucionet shëndetësore. /E.A/

Exit mobile version