Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, pasi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se temperaturat do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius.
Sipas IKSHPK-së, për të zvogëluar rrezikun nga i nxehti, qytetarët duhet të shmangin qëndrimin dhe aktivitetet në ambiente të hapura, veçanërisht gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Instituti rekomandon që të qëndrohet sa më shumë në ambiente me hije ose të freskëta, ndërsa gjatë ekspozimit në diell të mbrohen koka dhe fytyra me kapelë, si dhe të përdoren syze dielli dhe krem mbrojtës për lëkurën.
Po ashtu, IKSHPK-ja thekson rëndësinë e hidratimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të konsumojnë ujë rregullisht gjatë gjithë ditës për të shmangur dehidratimin dhe pasojat që mund të shkaktojnë temperaturat e larta.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë apel veçanërisht të moshuarve, fëmijëve, grave shtatzëna dhe personave me sëmundje kronike që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me vapë./A.K/
