UBT News

IKSHPK alarmon: Ndotja enorme nga Obiliqi rrezikon shëndetin publik

Ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë lëshuar një alarm urgjent për rreziqet shëndetësore që po vijnë nga termocentralet A dhe B në Obiliq.

Sipas IKSHPK-së, ditëve të fundit është regjistruar një ndotje enorme, e cila nëse nuk parandalohet, do të çojë në rritjen e vdekshmërisë, sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore.

Duke qenë se sektori i energjetikës është përgjegjës për 40% të emisioneve ndotëse, Instituti ka propozuar këto masa urgjente:

  1. Monitorimi në kohë reale i ndotjes dhe publikimi transparent i të dhënave për qytetarët nga ana e KEK-ut.
  2. Kontrolli i vazhdueshëm teknik i filtrave të termocentraleve dhe sanksione të rrepta në rast të mosfunksionimit të tyre.
  3. Inspektime të shpeshta mjedisore dhe gjoba të larta për çdo tejkalim të normave të lejuara të emetimit.
  4. Instalimi i teknologjive të reja për desulfurizim dhe reduktimin e gazrave të dëmshëm.
  5. Modernizimi i pajisjeve ekzistuese për të minimizuar lirimin e tymit dhe pluhurit në ambient.

Ekspertët paralajmërojnë se grimcat ndotëse absorbohen lehtësisht nga sistemi respirator, duke rritur ndjeshëm infeksionet te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Pa këto ndërhyrje të menjëhershme, efektet në shëndetin e popullatës do të jenë shqetësuese.

 

Exit mobile version