Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 12 maj janë konfirmuar 14 raste me fruth në disa komuna të vendit. Ferizaj ka numrin më të madh me pesë raste, i pasuar nga Prishtina dhe Kaçaniku me nga tre, ndërsa nga një rast është shënuar në Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
Të gjithë personat e infektuar janë të pavaksinuar me vaksinën MMR dhe për shkak të komplikimeve kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.
IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të vaksinojnë fëmijët dhe të shmangin kontaktet me persona që shfaqin simptoma si temperaturë e lartë dhe skuqje.
Ekipet mjekësore ndërkohë po vazhdojnë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe vaksinimin në terren për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj sëmundjeje ngjitëse.
