Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Ministria e Financave, përkatësisht Departamenti i Punës, kanë lansuar sot broshurën informuese “Regjistrohu në Sindikatë”, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për organizimin sindikal në sektorin privat dhe mënyrën e regjistrimit të këtyre lloj organizatave.
Në punëtorinë e organizuar me temën “Sindikatat dhe organizimi i tyre” u prezantua edhe dokumentari me titullin “Të jesh grua në vendin e punës”.
Drejtoresha ekzekutive e IKS-së Brikenë Hoxha tha se po synojnë që të kontribuojnë më shumë në drejtësi sociale përmes përmirësimit të të drejtave të punës dhe ligjeve që kanë të bëjnë me sektorin e punës, andaj në fokus të tyre do të mbetet krijimi i shoqatave sindikale në sektori privat.
“Qëllimi i IKS-së dhe koalicionit për drejtësi sociale është të kontribuojnë shumë në një drejtësi më të madhe sociale përmes zbatimit të përmirësuar të të drejtave të punës dhe legjislacionit lidhur me punën duke mundësuar angazhim aktiv të shoqërisë civile dhe partnerëve socialë. Me punën tonë, ne synojmë ta shtojmë angazhimin e shoqërisë civile në këtë fushë për të promovuar drejtësinë sociale, veçanërisht në zbatimin e ligjit të punës dhe ligjit për siguri dhe shëndet në punë, për të promovuar drejtësinë sociale te punëtorët forcimin e mëtejshëm të partnerëve socialë dhe për të kontribuar në zhvillimin e politikave duke analizuar debatuar dhe pse jo për të ndryshuar politikat, për të mbështetur nisma për krijimin e sindikatave në sektorin privat. Ky angazhim është bërë edhe më i rëndësishëm marr parasysh nivelet e larta të informalitetit, papunësisë”, tha ajo.
Udhëheqësja e Divizionit për Marrëdhënien e Punës, Dialog Social dhe Sigurinë e Shëndetin në Punë pranë Ministrisë së Financave, Leunora Ahmeti u shpreh se edhe organizatat sindikale që ekzistojnë aktualisht duhet të ri-regjistrohen në organin përgjegjës dhe se për këtë kanë afat deri më 31 dhjetor 2021.
“Kemi pasur një dakordim që brenda një viti prej 1 janar 2021 deri më 31 dhjetor 2021 të gjitha organizatat sindikale që janë të regjistruara paraprakisht në organin përgjegjës duhet të ri-regjistrohen. Pra, u kemi dhënë afat një vit që këto organizata sindikale të kenë kohë të bëjnë përgatitjen e kërkesave, dokumentacionin përkatës dhe të vijnë të ri-regjistrohen… Sipas udhëzimit administrativ, afati përfundimtar është 31 dhjetor 2021. Në momentin që ditën e fundit çdo organizatë sindikale dërgon kërkesën qoftë për shoqatë sindikale, federatë apo konfederatë, ne e vazhdojmë pjesën e pas vitit për regjistrim, por në momentin që vjen pas këtij afati, sipas udhëzimit administrative konsiderohet se një organizatë sindikale nuk është e regjistruar në organin kompetent dhe pasojat mund të jenë të ndryshme siç parasheh ligji. Nga perspektiva jonë shihet që ajo organizatë të çregjistrohet të fshihet nga regjistrit, ndërsa çështje tjera janë që ju duhet të mobilizoheni dhe të aplikoni”, theksoi Ahmeti.
Menaxherja e projektit në IKS-së, Brikena Berisha u shpreh se përmes broshurës që sot e kanë lansuar po synojnë që të ndihmojnë punëtorët që të hapin organizata sindikale.
“Kur flitet prej qendrës së Prishtinës mund të jetë një qasje tjetër më e shpejtë, institucione më të prekshme, por në qytetet tjera është vërejtur se ekziston një hendek i bashkëpunimit dhe qasjes në informata, andaj kemi ardhur me idenë që e kemi zhvilluar këtë broshurë, për çka shpresojmë që ajo të shërbejë dhe të drejtojë palët që kanë vullnet për të organizuar apo krijuar një organizatë sindikale duke ua lehtësuar punën administrative apo pjesë burokratike”, tha ajo.
Fatime Rexhepi, zyrtare e Lartë për Dialog Social pranë ministrisë së Financave tha se tashmë ka një platformë online për regjistrim të sindikaleve e cila ishte paraparë edhe në udhëzimin administrativ.
Ajo tha se broshura që sot e kanë lansuar së bashku me IKS-së jep udhëzime për mënyrën se si mund të krijohen sindikata.
Rexhepi tha se krahas dokumentacioneve të nevojshme kriter për regjistrimin e shoqatave sindikale është se një shoqatë sindikale mund të regjistrohet me 10 anëtarë.
“Në fund të vitit 2020 është një udhëzim administrativ i ri për regjistrimin e organizatave sindikale kryesisht broshura është fokusuar në këto tria që ne veç i kemi paraparë në udhëzim është një broshurë sado pak informuese ndoshta mund të jetë një ndihmesë më e madhe për personat që punojnë dhe duan të kenë një organizatë sindikale apo shoqatë ose edhe konfederatë. Jemi munduar t’i paraqesim pikat kyçe t’i paraqesim në broshurë… Udhëzimi i ri ne mendojmë se është një avancim dhe janë përfshirë disa çështje nuk kanë qenë në udhëzimin e mëhershëm nuk kanë qenë shumë të specifikuara pra në kuadër të kësaj Ministria e Financave pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi kemi bërë edhe një link jemi munduar që përmes atij linku t’ua mundësojmë punën dhe aty e kanë më të lehtë për tu orientuar se si mund të regjistrohet një shoqatë sindikale… Kriteret për regjistrimin e shoqatave sindikale dihet kryesore është një shoqatë sindikale mund të regjistrohet me 10 anëtarë, ndërsa te federata në përbërje duhet të ketë në përbërjen e vetë dy apo më shumë shoqata të veprimtarisë së njëjtë apo të ngjashme për të qenë federatë dhe duhet të ketë 10% të punëtorëve të atij sektori që mbulon”, tha Rexhepi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani u shpreh kundër idesë që për krijimin e një organizate sindikale në sektorin privat të jetë si kriter numri prej 10 anëtarëve.
“Ligji për Inspektime është në Kuvend duke u trajtuar prej Komisionit të Ekonomisë. Komisioni për Buxhet ka propozuar amendament për punësimin e 50 inspektorëve, dhe nuk ka kaluar në komision, sepse nuk ka pasur mbështetje nga opozita. Do të provojmë ta kalojmë edhe në Kuvend kur shkon ligji për Buxhetin. Për çështjen e situatës së grave me pakot ekonomike keni parë qoftë për lehonat apo në aspektin e tjera, por që më shumë janë ad hoc apo zgjedhje emergjente që duhet të vazhdohen dhe të krijohen si zgjidhje sistematike edhe që të mos ketë për këto intervenime ad hoc. Është shqetësuese edhe situata sidomos në sektorin privat, por shoqatat sindikale mendoj se është numër shumë i madh prej 10 anëtarëve që të krijohet një shoqatë sindikale, për shkak se i bie pak a shumë që asnjë kompani, e cila i ka nën 100 punëtorë të mos ketë sindikatë dhe kjo e pengon jashtëzakonisht organizimin sindikal”, u shpreh ai.
Në punëtorinë e organizuar me temën “Sindikatat dhe organizimi i tyre” ishin të pranishëm edhe shumë sindikata të punëtorëve kryesisht nga sektori publik.