Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se ushtrimi i njëkohshëm i pozitave të ministrit dhe deputetit bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme që bëri të qartë se nuk mund te jesh edhe ministër edhe deputet.
Melos Kolshi nga IKD-ja tha se çdo vendim i marrë nga 27 marsi e tutje nga ministrat në detyrë që janë njëkohësisht deputetë, mund të shfuqizohet në gjykatë, njësoj si rasti i udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave.
“Nuk mundet një individ të ushtrojë edhe pozitën e deputetit, edhe ministrit në detyrë, apo kryeministrit në detyrë, për arsye që këto bien ndesh njëra me tjetrën. Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme, duke thënë dhe duke ruajtur parimin e ndarjes së pushteteve: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, duke treguar se pushteti ekzekutiv dhe legjislativ nuk duhet të ushtrohen nga i njëjti individ”, tha Kolshi.
Ai shprehu shqetësim për komentet publike të zyrtarëve qeveritarë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, duke i cilësuar ato si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Ai tha se nga institucionet, në këtë rast nga Qeveria në detyrë, pritet vetëm ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme.