UBT News

IHMK paralajmëron erëra të forta të enjten, moti ftohet në fundjavë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se të enjten e kësaj jave vendi do të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm, i shoqëruar me erëra të forta dhe luhatje të presionit atmosferik, ndërsa ulje të ndjeshme të temperaturave priten gjatë fundjavës.

Sipas parashikimit të përditësuar të IHMK-së, dita e mërkurë do të nisë me mot të butë dhe temperatura rreth 9 °C, të cilat gjatë ditës do të arrijnë deri në 16 °C, të shoqëruara me reshje të lehta shiu.

E enjtja cilësohet si dita më e paqëndrueshme e javës dhe kërkon kujdes të shtuar. Ndonëse temperaturat do të arrijnë vlera të larta për mesin e nëntorit, nga 15 deri në 18 °C, presioni atmosferik do të zbresë në rreth 999 hPa. Elementi kryesor do të jetë era e fortë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi 30–45 km/h dhe hove edhe më të fuqishme, e cila do të jetë më e ndjeshme nga mesdita deri në mbrëmje. Gjatë ditës priten edhe reshje të lehta me ndërprerje, ndërsa në mbrëmje kalimi i një fronti atmosferik do të ndryshojë drejtimin e erës.

Për shkak të erërave të forta, IHMK-ja u bën thirrje qytetarëve që të sigurojnë objektet e lehta jashtë shtëpive, tabelat reklamuese dhe skelat e ndërtimit, ndërsa shoferët këshillohen për kujdes të shtuar, sidomos në akset rrugore të hapura.

Nga e premtja, moti pritet të stabilizohet dhe të jetë më i pastër e i thatë. Mëngjesi do të jetë më i freskët (8–9 °C), por gjatë ditës temperaturat sërish do të arrijnë rreth 17 °C. Era do të ndërrojë drejtim nga veriu dhe veriperëndimi, duke u dobësuar gradualisht pas orëve të para të ditës, paralelisht me rritjen e presionit atmosferik në 1008–1011 hPa.

Rënie më e ndjeshme e temperaturave parashikohet për fundjavën, kur nga e shtuna vlerat maksimale do të zbresin në 9–11 °C, me mot kryesisht të thatë dhe mundësi për pak reshje të lehta në fund të ditës. /E.A/

 

Exit mobile version