Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka bërë të ditur se ka pranuar një tjetër ftesë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të këtij subjekti politik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Simiq njoftoi se në ftesën e pranuar përmenden dyshime për disa vepra penale, ndër to edhe ajo për “sulm ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Zyrtari i Listës Serbe ka deklaruar se do t’i përgjigjet ftesës së organeve të drejtësisë, ndërsa i ka mohuar të gjitha akuzat, duke pretenduar se veprimet e tij kanë qenë vetëm në kuadër të angazhimit politik.
Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar detajet apo dyshimet konkrete që rëndojnë mbi Simiqin dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë në këtë rast.
