Iggy Azalea, 31-vjeçare, njoftoi se është bashkuar me BH Cosmetics për të lansuar linjën “Totally Plastic”, e cila është frymëzuar nga modat dhe trendet e viteve 2000-2009.
Megjithëse kishte njoftuar se do të largohet nga muzika, ajo ende po vazhdon të jetë aktive me projekte të tjera. Edhe pse gjithmonë ka shprehur se ajo e do modën e viteve 2000-ta, ajo e ripërsëriti këtë, por kësaj herë me një linjë kozmetike. Azalea u shpreh se i do nuancat e periudhës së viteve 2000, dhe se ato ishin inspirimi kryesor për linjën “Totally Plastic”.
“Ndoshta ishte një sy plot shkëlqim ylbertë, ndërsa tani ne kemi më shumë një bazë, një kontur, dhe është më i rafinuar dhe i lëmuar sesa ajo që ishte atëherë, por unë me të vërtetë doja t’i ktheja të gjitha ato nuanca të ylberta. Hapi tjetër natyral për mua është ta çoj atë fantazi edhe më tej dhe të filloj të zhvilloj produkte brenda asaj bote”, tha Azalea.
Koleksioni prej 13 pjesësh, i cili do të lansohet në dyqanet Ulta më 29 gusht, do të përfshijë shkëlqyes buzësh, një set furçash, qerpikë, paleta të fytyrës dhe një pasqyrë dore.
Ka të ngjarë të mos jetë sipërmarrja e saj e parë në botën e kozmetikës, pasi Iggy shtoi se ajo është e etur për t’u bashkuar me shoqen e saj, yllin “The Real Housewives of Beverly Hills” Lisa Vanderpump, për të krijuar një “koleksion tërësisht rozë”.
Njoftimi i Iggy për linjën Totally Plastic vjen pasi ajo u tha fansave në korrik se po tërhiqet nga muzika për “disa vjet”, pas publikimit të albumit të saj të tretë në studio “End of an Era”.