Një nga momentet më të debatueshme të çerekfinales së Kupës së Botës mes Zvicrës dhe Argjentinës ka marrë një zhvillim të ri, pasi Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB) ka pranuar se vendimi i marrë gjatë ndeshjes nuk ishte i saktë.
Sipas IFAB-it, sulmuesi i Zvicrës, Breel Embolo, nuk duhej të ndëshkohej me karton të verdhë për simulim. Ky vendim ishte i rëndësishëm, pasi kartoni i dytë i verdhë çoi më pas në përjashtimin e tij nga loja.
Incidenti ndodhi pas më shumë se 70 minutash lojë. Fillimisht, gjyqtari portugez Joao Pinheiro akordoi faull në favor të Embolos dhe ndëshkoi me karton të verdhë mesfushorin argjentinas Leandro Paredes. Megjithatë, pas ndërhyrjes së VAR-it, vendimi u ndryshua dhe kartoni iu dha Embolos për simulim.
IFAB ka sqaruar se ndërhyrja e VAR-it në këtë rast nuk ishte e lejuar, pasi situata nuk përfshinte një “identitet të gabuar” dhe bëhej fjalë për dy episode të ndryshme. Për këtë arsye, vendimi fillestar ndaj Paredes nuk duhej të ndryshohej për t’i dhënë ndëshkim Embolos.
Ky rast ka rihapur debatin për mënyrën e përdorimit të VAR-it dhe kufijtë e ndërhyrjes së teknologjisë në vendimet e gjyqtarëve. IFAB ka bërë të ditur se çështja e ndëshkimit retrospektiv të simulimeve mund të shqyrtohet në të ardhmen.
D.L
