Hetimi i nisur në Angli ndaj disa shqiptarëve të dyshuar për akuzën e “pastrimit të parave” dhe “abuzim me informacione të privilegjuara” është shtrirë deri në Shqipëri.
Gjykata e Tiranës i ka dhënë “dritë jeshile” kërkesës së drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar për kryerjen e veprimeve hetimore për llogari të hetimit penal të nisur ndaj 5 personave 3 nga të cilët shtetas shqiptarë.
Sipas vendimit gjyqësor, një kopje e të cilit u sigurua nga A2 CNN, autoritetet britanike, i kanë vënë në dispozicion të drejtësisë shqiptarë identitetet e tre personave nën hetim, një prej të cilëve i gjinisë mashkullore dhe dy të tjerat femra, me inicialet e emrave përkatësisht R., O. dhe I.
Lidhur me këta persona drejtësia angleze i kërkon homologëve të tyre shqiptarë të sigurojnë të dhënat e telekomunikimeve të të dyshuarve, informacione mbi llogaritë e tyre bankare, si edhe gjurmim të pronave të mundshme të regjistruara në emër të tyre.
Në vendimin e saj, gjykata lejon ekzekutimin e letër-porosisë, si edhe autorizon prokurorinë e kryeqytetit të kryejë të gjitha veprimet hetimore të kërkuara nga autoritetet britanike të drejtësisë.