Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se javën e kaluar ka pranuar dy raporte të reja të ADN-së, përmes të cilave janë identifikuar mbetjet mortore të dy personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një sqarimi zyrtar, Komisioni bëri të ditur se këto identifikime nuk lidhen me gërmimet apo zhvarrosjet e fundit në lokacionet si Kalludër, Jabukë apo me zhvillimet e fundit në Zubin Potok.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për mbetje mortore të zhvarrosura më parë, ndërsa identifikimi erdhi si rezultat i rishqyrtimit të hollësishëm të mbetjeve që ndodheshin në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe mbledhjes së mostrave biologjike plotësuese nga familjarët.
Raportet e ADN-së tashmë i janë përcjellë Institutit të Mjekësisë Ligjore për konfirmim zyrtar. Komisioni bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të njoftohen familjet e viktimave për rezultatet dhe hapat e mëtejshëm proceduralë, duke rikonfirmuar përkushtimin për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur. /E.A/
