UBT News

Identifikohen mbetje mortore edhe në lokacionin e tretë në Zubin Potok

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar sot se është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në një lokacion të tretë të dyshuar në komunën e Zubin Potokut. Kjo gjetje vjen si rezultat i veprimeve të vazhdueshme hetimore që po zhvillohen në terren.

Nëpërmjet një komunikate të përbashkët për media, institucionet kanë bërë të ditur detajet e operacionit.

“Në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok, njoftojmë se gjatë vazhdimit të veprimeve në terren është identifikuar dhe është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar”.

Aktualisht, autoritetet kompetente janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme në këtë zonë.

“Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim zbardhjes së të gjitha rrethanave”.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre për këtë çështje.

“Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional”. /E.A/

Exit mobile version