Zlatan Ibrahimovic ka bërë rikthimin e tij në “Milanello”, duke shkaktuar një valë emocionesh dhe diskutimesh mes lojtarëve. Pas disa ditësh mungese, suedezi ka zhvilluar një takim me skuadrën dhe trajnerin Paulo Fonseca, së bashku me drejtorin teknik Geoffrey Moncada.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Ibrahimovic ka pasur biseda informale me lojtarët, duke prekur tema të ndryshme që lidhen me performancën e skuadrës.
Një nga bisedat më të rëndësishme ka qenë ajo me Rafael Leao, i cili aktualisht po kalon një periudhë të vështirë te Milani. Ibrahimovic ka tentuar ta qetësojë portugezin, duke i shpjeguar se çdo futbollist përjeton momente të vështira dhe se rëndësia e reagimit si kampion është thelbësore. Ai i ka sugjeruar Leao që të përqendrohet në lojën e tij, duke pranuar zgjedhjet e trajnerit dhe duke shfaqur një “zemërim pozitiv” në fushë, siç bëri gjatë ndeshjes me Lazion.
Përveç kësaj, Ibrahimovic ka shprehur komplimente për trajnerin Fonseca dhe stafin e tij për ecurinë e mirë të skuadrës, duke inkurajuar grupin që të vazhdojë me të njëjtin angazhim dhe rezultate të mira, si ato të javës së kaluar, ku Milani arriti dy fitore radhazi në kampionat dhe Champions League./UBTNews/