Zlatan Ibrahimovic nuk është duke menduar që të pensionohet nga futbolli aktiv, pavarësisht se e ka pranuar që i duhet stafi mjekësor në çdo moment.
Që nga koha kur është rikthyer te skuadra e AC Milan në janar të vitit 2020, Ibrahimovic ka shënuar 30 gola dhe ka kontribuar në nëntë asistime në 54 ndeshje në të gjitha garat.
Sidoqoftë, sulmuesi veteran ka pasur probleme të vazhdueshme me lëndime, ku ishte paraqitur vetëm në gjysmën e parë të sezonit të kaluar për “Rossonerët” në Serie A, ku edhe ishte detyruar që të tërhiqet nga Kampionati Evropian Euro 2020 me Kombëtaren e Suedisë.
Tani, Ibrahimovic e ka kuptuar që i duhet ta përcjellë progresin e trupit të tij, dhe të gjejë rikuperimet sa më shpejtë që është e mundur nga lëndimet, por kjo nuk e ka bërë të mendoj që të pensionohet nga futbolli aktiv.
“Sezonin e kaluar kisha më shumë lëndime se sa që kam pasur më parë. Kjo ndodhi sepse nuk mendoja për ato lëndime kur ndjeja diçka. E kam atë mentalitet. Jap 200% nga vetja. Pasi që i kam bërë 30 vjet, e kam vërejtur që dhimbja nuk kalon, mbetet brenda në trup”, tha Ibrahimovic.
“Çfarë kam ndryshuar tani është që tani e kam stafin mjekësorë pas vetes, që më përcjellin 24 orë në ditë. Për çdo gjë, ai është aty”, shtoi Ibrahimovic.
Po ashtu, ylli suedez ka dhënë detaje mbi të ardhmen e tij, duke treguar që momentalisht nuk e ka ndërmend që të pensionohet.
“Ende nuk e kam vendosur datën e pensionimit. Dua të vazhdoj për aq sa mundem dhe mos të mendoj për momentin se kur do të mbarojë. Nuk dua të jem i mërzitur, sikur dikush që është pensionuar dhe është duke menduar që mund të luante tani”, tha Ibrahimovic.
Zlatan Ibrahimovic ishte pensionuar nga futbolli profesional në nivel të kombëtares pas Kampionatit Evropian Euro 2016, por tani është rikthyer nga pensionimi, ku edhe mund të paraqitet në ndeshjet e Suedisë kundër Gjeorgjisë dhe Spanjës.