UBT News

Ibrahim Kadriu nderohet në 80-vjetorin e lindjes! Libri dhe titulli “Qytetar Nderi”

Në bibliotekën “Fan S. Noli” në Gjilan, të shtunën më 13 dhjetor 2025, do të mbahet promovimi i librit “Ibrahim Kadriu – 80 vite legjendë dhe inspirim”, një botim i përgatitur nga një grup autorësh për të nderuar 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të njohur.

Libri, me mbi 200 faqe, përfshin shkrime, portrete krijuese, vlerësime letrare dhe intervista të realizuara së fundmi, duke ofruar një pasqyrë të plotë të jetës dhe veprës së Ibrahim Kadriut, një nga emrat më të shquar të letërsisë shqipe në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, do t’i dorëzojë Kadriut titullin “Qytetar Nderi”, mirënjohje e vendosur së fundmi nga Asambleja e Komunës për kontributin e tij të vyer në kulturë dhe letërsi.

Promovimi do të shoqërohet me fjalë rasti nga studiues, shkrimtarë e përfaqësues institucionalë, që do të ndajnë reflektime mbi rrugën krijuese të Kadriut dhe ndikimin në formësimin e brezave të lexuesve.

Tubimi pritet të tërheqë dashamirë të librit, njerëz të kulturës dhe qytetarë të interesuar për të nderuar një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë së Gjilanit dhe Kosovës. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version