UBT News

IA në fushën ligjore: Po vazhdon Akademia Verore e Fakultetit Juridik në UBT

Në kuadër të “Global UBT Fest 2026”, Fakulteti Juridik po mban Akademinë Verore, e cila këtë vit po trajton një nga temat më aktuale: “Integrimi i IA në hulumtim ligjor: Analiza e benefiteve, implikimet dhe kufizimet etike”. Shkolla verore po zhvillohet me një dinamikë të lartë, duke gërshetuar qasjen akademike, ligjore dhe atë të informacionit përballë zhvillimit të teknologjisë.

Mbi rolin e inteligjencës artificiale (IA) në edukim u zhvillua dita e dytë e kësaj akademie. Prof. Egzone Osmanaj diskutoi mbi mënyrat se si inteligjenca artificiale mund t’i ndihmojë studentët në kërkimin shkencor, si dhe mbi mënyrën se si kjo teknologji mund të shfrytëzohet në mënyrë racionale, të saktë dhe të besueshme.

Po ashtu, një vëmendje e veçantë iu kushtua kuptimit dhe rëndësisë së Aktit të Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale (AI Act), si dhe Rregullores së UBT-së për standardet e punës kërkimore me ndihmën e IA-së. Kjo ditë u karakterizua nga një interesim i madh i pjesëmarrësve dhe u pasurua me analiza të rasteve konkrete, ushtrime praktike dhe diskutime interaktive.

Sot ka vijuar edhe dita e tretë e Akademisë Verore, e cila u nda në dy sesione mjaft produktive. Në pjesën e parë, ligjëratat u udhëhoqën nga Prof. Visar Hoxha, i cili hapi diskutimin mbi temën “IA në punë – Si e ka riformësuar jetën e përditshme IA”. Ai u fokusua në metodat se si mund të përdoret më mirë inteligjenca artificiale për të rritur efikasitetin dhe analizoi se cilat janë profesionet më të ndikuara nga ky revolucion teknologjik, duke shtruar edhe pyetjen kritike mbi shkallën e besueshmërisë së informacioneve të marra përmes IA-së.

Po në ditën e tretë, pjesëmarrësit patën kënaqësinë të mirëpritnin gazetarin me përvojë Shkëlzen Dakaj, Drejtor i kompanisë mediale “Infokusi”, me të cilin u diskutua mbi rolin e informacionit në epokën e inteligjencës artificiale. Gjatë këtij sesioni u trajtuan temat që lidhen me gazetarinë profesionale, ndikimin e algoritmeve, sfidën mes informimit dhe dezinformimit, si dhe mbrojtjen nga lajmet e rreme (fake news), propaganda dhe profilet mashtruese në rrjetet sociale. Ky diskutim u shoqërua me pyetje, përgjigje dhe shembuj konkretë, duke krijuar një atmosferë mjaft aktive dhe mbresëlënëse.

Akademia Verore e Fakultetit Juridik do të vijojë edhe në ditët në vijim, ku do të trajtohen tema të tjera specifike që ndërlidhin të drejtën ligjore me zhvillimet më të fundit të Inteligjencës Artificiale, duke ofruar platforma të reja të dijes për të gjithë studentët dhe profesionistët.

 

 

Exit mobile version