UBT News

I riu nga Kosova vritet në Suedi

Një i ri nga Kosova është vrarë të dielën në mbrëmje në Suedi, në një ngjarje tragjike që, sipas familjarëve, lidhet me përplasjet mes grupeve kriminale.

Familja ka bërë të ditur se ai po ecte në lagje kur u godit nga plumbat e shkrepur gjatë një konflikti mes bandave rivale.

“Mbrëmë G… na la tragjikisht nga plumbat e konflikteve të bandave të shumta në Suedi. Duke ecur në lagje, ai u vra aksidentalisht nga qërimi i hesapeve mes bandave rivale”, thuhet në reagimin e familjarëve.

Rastin e kanë raportuar edhe mediat suedeze. Sipas Aftonbladet, autori i dyshuar lëvizte me biçikletë dhe fillimisht qëlloi një herë me armë zjarri ndaj viktimës.

Mediumi suedez shkruan më tej se, pasi i riu rreth të 20-ave kishte rënë në tokë, i dyshuari u kthye sërish me biçikletë dhe e qëlloi edhe një herë nga një distancë shumë e afërt, duke e përshkruar ngjarjen si një “ekzekutim të mirëfilltë”.

Sipas raportimeve, për rastin është arrestuar një i dyshuar nën moshën 18-vjeçare. Autoritetet suedeze nuk kanë bërë ende të ditur identitetin e viktimës dhe as motivin zyrtar të ngjarjes, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

D.L

Exit mobile version