UBT News

I dyshuari për deklarim të rremë në hetimin për krime lufte dërgohet në mbajtje për 48 orë

Një burri nga fshati Zupç i komunës së Zubin Potokut i është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, të martën, pasi dyshohet për deklarim të rremë gjatë një hetimi për krime lufte.

Sipas avokatit të tij, Milosh Deleviq, personi me inicialet D.V. ishte ndaluar rreth orës 13:00 në pikëkalimin kufitar në Bërnjak dhe ishte dërguar për të dhënë dëshmi si dëshmitar në hetimin që Prokuroria Speciale po zhvillon për krime lufte në Zubin Potok. Më pas, prokurori vendosi të nisë procedurë ndaj tij për deklarim të rremë, siç ka deklaruar avokati për mediumin lokal Zubin Potok INFO.

Edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën rreth orës 14:30 është arrestuar një burrë në Mitrovicën e Veriut, pasi kishte deklaruar rrejshëm gjatë intervistimit nga njësia policore, duke u dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Prokuroria Speciale e Kosovës është duke zhvilluar hetime për krime lufte në komunën e Zubin Potokut, ku po kryhen gërmime në disa lokacione për mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta e vitit 1999. Në lidhje me këtë rast, më parë janë arrestuar tre persona ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. /Telegrafi/

Exit mobile version