Në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është deklaruar i pafajshëm sërish i akuzuari për krime lufte, Sladan Trajkoviq.
Duke qenë se kishte ndryshime në trupin gjykues, i akuzuari Trajkoviq është pyetur sërish në lidhje me fajësinë e tij për të cilën është deklaruar i pafajshëm, ndërsa aktakuza duke qenë se është lexuar edhe më parë është konsideruar e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi e të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiç, në fjalën e tij hyrëse ka kërkuar nga trupi gjykues që të ndërrohet masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me një masë më të lehtë.
Sipas tij, gjykata nuk e ka dhënë asnjë arsyetim tjetër se përse i mbrojturi i tij po i vazhdohet masa e paraburgimit përpos arsyetimit se i njëjti ka dy nënshtetësi, dhe se ekziston rreziku i arratisjes.
Kërkesën e mbrojtjes së tij e ka mbështetur edhe i akuzuari Trajkoviq.
“Unë nuk e kam ndërmend të ik nga Kosova, asgjë nuk kam në Serbi, të gjithën që e kam, atë që më vlen shpirtërisht e materialisht është këtu në Kosovë”, tha i akuzuari Trajkoviq.
Tutje, në këtë seancë është dëgjuar edhe fjala hyrëse e prokurores speciale, Florie Shamolli e cila deklaroi se nga provat e marra e deklaratat e dëgjuara i akuzuari do të gjendet fajtor për veprën që i ngarkohet.
Ajo gjithashtu i bëri kërkesë gjykatës që dëshmitë e marra të dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, kjo për shkaqe ekonomizimi të procedurës dhe eliminimi të zvarritjes së saj.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni, mori aktvendim përmes të cilit aprovoi kërkesën e prokurores Shamolli që dëshmitë e dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, ndërkaq lidhur me kërkesën e mbrojtjes që të pandehurit t’i ndërpritet masa e paraburgimit njoftoi se trupi gjykues do vendosin jashtë seancës dhe për të njëjtën kërkesë do të nxjerrin aktvendim në formë të shkruar.
Duke qenë se mungonte prezenca e dëshmitarëve të padëgjuar, seanca është ndërprerë për të vazhduar në një datë tjetër.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.
Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.