Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Selimit, duke e dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale të spiunazhit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 9 shtator 2025, Selimi dyshohej se nga nëntori 2009 deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025 ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe dërguar informacione të ndryshme me interes për këtë shërbim.
Në aktakuzë thuhet se ai ka raportuar për ish-pjesëtarë të UÇK-së, zhvillimet gjatë luftës, si dhe për persona të radikalizuar dhe pjesëmarrjen e tyre në konfliktin në Siri. Po ashtu, pretendohet se ai ka udhëtuar në Siri në vitin 2015 dhe më pas ka vazhduar komunikimin me zyrtarë të BIA-s pas kthimit në Kosovë.
Prokuroria ka pretenduar se për këto veprime ai është shpërblyer financiarisht dhe është pajisur me mjete komunikimi për kontakt me zyrtarët e shërbimit serb të inteligjencës.
Gjykata ka bërë të ditur se dënimi me burg do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
/A.K/
