Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare Elseid Hysaj ka thënë se Shqipëria mund të jetë befasia e Kampionatit Evropian Euro 2024 që nis më 14 qershor. Në një konferencë për media, Hysaj ka thënë se ashtu siç u bë e mundur kualifikimi, edhe pse pak njerëz e prisnin, e njëjta gjë mund të ndodh edhe tani në fazën e grupeve.
“Janë tri ndeshje me të vërtetë shumë të forta, tri ndeshje shumë të bukura për t’i luajtur në një Kampionat Evropian siç është ky dhe unë u kam thënë të gjitha çunave që duhet të gëzojmë këtë Evropian sepse nuk i dihet çfarë mund të ndodh, si mund të shkojnë gjërat pas kësaj kombëtareje… Duhet të jemi të koncentruar dhe të kemi besim tek vetvetja. Në kualifikime nuk është se të gjithë prisnin atë ecjen tonë të madhe por ja që ne treguam që mund të bëjmë gjëra të bukura, të mëdha dhe mund të jemi një nga surprizat e këtij Evropiani”, tha HysaJ.
Sa i përket përballjes së parë, asaj kundër Italisë, Hysaj ka deklaruar se “Azzurrët” janë skuadër jashtëzakonisht e fortë.
“Ne duhet ta dimë që Italia është një skuadër shumë e fortë, ka individë të fortë sepse unë kam luajtur kundër të gjithëve gati, disa i kam edhe në skuadër dhe e di kualitetin që kanë lojtarët dhe thjeshtë duhet ta marrim seriozisht sepse nuk është ashtu siç duket në miqësore Italia”, theksoi më tutje Hysaj.
Madje, futbollisti i Napolit ka komentuar edhe raportimet e mediave se Shqipëria çalon më së shumti në krahun e djathtë, pikërisht aty ku operon Hysaj.
“Me punën e gazetave që thonë se krahu i djathtë është më i dobët, mua mu bënë gati 12 vite që luaj në Serie-A, unë e di potencën time, e di ku gaboj, sepse duhet ta dish edhe kur gabon njeriu, i di të gjitha gjërat që unë gaboj ose bëj mirë, por e di që edhe në këtë Evropian unë besoj që do të jem më së shumti i koncentruar se të tjerët sepse e di se si janë këto ndeshjet e forta me të vërtetë dhe shpresoj që të jap maksimumin për këtë fanellë, nuk vij për pushime”, the në fund Hysaj.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Kombëtarja Shqiptare do të zhvillojë seancën e radhës stërvitore me fillim nga ora 17:00./UBTNews/