Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha të enjten se vendi i tij do të pranojë punëtorë të përkohshëm nga shtetet që s’janë pjesë e Bashkimit Evropian për ta lehtësuar mungesën e fuqisë punëtore dhe për ta ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike.
Kryediplomati hungarez bëri të ditur se disa agjenci punësimi do të lejohen që të marrin punëtorë të huaj me shkathtësi përkatëse, por një gjë e tillë do të bëhet nën kushte të rrepta, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Ekonomitë e Evropës Qendrore po rimëkëmben më shpejt sesa është pritur nga pandemia e koronavirusit, por mungesa kronike e punëtorëve, e cila ka qenë e pranishme edhe para krizës shëndetësore, mund ta pengojë rritjen ekonomike.
Në kohën e shpërndarjes së fondeve të Bashkimit Evropian dhe investimeve, kompanitë e prodhimtarisë, teknologjisë së informacionit dhe ndërtimtarisë po garojnë për të tërhequr punëtorë.
Ministri hungarez tha se legjislacioni i ri, përfshirë atë për punëtorët e përkohshëm, ka për qëllim që ta ndihmojë rifillimin e shpejtë të ekonomisë, që ky rifillim të jetë më i shpejti në Evropë.
Rregullat e reja i lejojnë agjencitë e punësimit që të marrin punëtorë të përkohshëm nga vendet përtej fqinjeve të BE-së. Ndryshe, Hungaria më 2017 i kishte lehtësuar rregullat për punëtorët që vijnë nga Serbia dhe Ukraina.
Në masat lehtësuese, për të cilat njoftoi Szijjarto, përfshihen lehtësimi i procedurave burokratike ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe qiratë e lira për t’i ndihmuar kompanitë hungareze që të zgjerohen jashtë vendit ose të investojnë në projekte të gjelbra.