UBT News

Humbin jetën tre shtetas të Kosovës në një aksident në Bllacë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, ku tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti komunikacioni. Automjeti i tyre i përmbysur, i tipit “Mercedes” me targa gjermane, u gjet në afërsi të pikëkalimit kufitar Bllacë në drejtim të Shkupit.

Rastin e ka konfirmuar zyrtarisht Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut përmes një njoftimi për media.

“Menjëherë pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur, një mashkull dhe dy femra. Vdekja e tyre është konfirmuar nga një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Viktimat fillimisht ishin raportuar si të zhdukur

Para gjetjes së automjetit, më saktësisht në orën 13:40, një shtetas i Kosovës kishte raportuar në Stacionin Policor të Bit Pazarit se tre personat kishin humbur kontaktet.

Sipas raportimit, kontakti i fundit me ta ishte realizuar më 18 korrik 2026, rreth orës 22:15, në momentin kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit. Autoritetet përkatëse po vazhdojnë hetimet për të ndriçuar plotësisht rrethanat se si erdhi deri te ky aksident tragjik. /E.A/

 

Exit mobile version