Një 29-vjeçar ka ndërruar jetë të martën si pasojë e lëndimeve të rënda të marra gjatë punimeve në një kantier ndërtimi në Zubin-Potok. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në vendin ku po ndërtohet stacioni i ri i Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Ermir Osmani, konfirmoi se viktima, punëtor i një kompanie private, fillimisht u dërgua në shtëpinë e shëndetit në Zubin-Potok dhe më pas u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal në Mitrovicën e Veriut. Për shkak të gjendjes së rëndë, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij rreth orës 11:00.
Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Për këtë rast, policia ka intervistuar dhe ndaluar për 48 orë një person me inicialet B.B. (viti i lindjes 1977) në cilësinë e të dyshuarit.
