Profesorët e UBT-së, Prof. Dr. Avni H. Alidemaj nga Fakulteti i Shkencave Politike dhe Juridike dhe Prof. Dr. Alban Maliqi nga Studimet e Sigurisë, kanë publikuar hulumtimin e tyre në revistën prestigjioze shkencore Lawyers Quarterly, e cila botohet në Pragë të Çekisë nga Akademia e Shkencave e Republikës Çeke dhe është e indeksuar në Scopus si dhe në shumë baza të tjera të të dhënave ndërkombëtare.
Hulumtimi shkencor thekson sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në vendet multietnike, duke argumentuar se garancitë e forta kushtetuese dhe ligjore janë thelbësore për sigurimin e stabilitetit afatgjatë dhe për parandalimin e tensioneve që mund të përshkallëzohen përtej kufijve shtetërorë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor shërben si ilustrim i qartë se si tensionet etnike të pazgjidhura mund të çojnë në konflikte dhe në krijimin e pakënaqësive të thella ndërmjet komuniteteve.
Po ashtu, studimi analizon të arriturat e Kosovës në garantimin e të drejtave të pakicave përmes përmirësimit të kornizës ligjore dhe rritjes së përfshirjes së komuniteteve pakicë në proceset vendimmarrëse.
Profesorët Alidemaj dhe Maliqi, brenda një periudhe të shkurtër kohore, kanë publikuar një numër të konsiderueshëm punimesh shkencore në revista prestigjioze ndërkombëtare, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në forcimin e kapaciteteve hulumtuese dhe në rritjen e reputacionit akademik të UBT-së.
