Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, tha se talibanët “kanë ekzekutuar ose zhdukur me forcë” më shumë se 100 ish-anëtarë të forcave të sigurisë.
Sipas organizatës, ekzekutimet dhe zhdukjet u bënë në vetëm katër nga 34 provincat e Afganistanit.
Grupi militant ka marrë pushtetin në Afganistan në mes të gushtit.
Udhëheqja talibane ka premtuar amnisti për të gjithë ata që kanë qenë të lidhur me Qeverinë e përmbysur afgane dhe ish-forcat e sigurisë.
Por, HRW tha se ka dokumentuar vrasjen ose zhdukjen e 47 ish-anëtarëve të Forcave të Sigurisë Kombëtare, të cilët janë dorëzuar ose janë kapur nga militantët talibanë në periudhën 15 gusht – 31 tetor.
Grupi tha se ka mbledhur “informacione të besueshme” për vrasjen e më shumë se 100 vetave, që kanë qenë pjesë e ushtrisë, policisë ose inteligjencës, gjatë regjimit të kaluar në provincat Gazni, Helmand, Kandahar dhe Kunduz.
“Barra është mbi talibanët për të parandaluar vrasjet e mëtejshme, për të kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës dhe për të kompensuar familjet e viktimave”, tha Patricia Gossman, drejtore për Azinë pranë organizatës Human Rights Watch.
Në përgjigje ndaj gjetjeve të HRW-së, talibanët thanë se kanë shkarkuar përgjegjësit për abuzime, por nuk dhanë asnjë informacion për të vërtetuar pretendimet e tyre, tha organizata.