Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka mbajtur konferencë për medie pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se PDK-ja respekton institucionet e Kosovës dhe rikujtoi se sot nuk pati gaz e as dhunë, sikur ndodhte kur VV ishte në opozitë.
Por, Hoxhaj tha se nuk do t’i nënshtrohen vullnetit të askujt për formimin e institucioneve, përkatësisht votimin e Qeverisë dhe të presidentit, pa marrëveshje.
“Sot kishim një seancë konstituive të Kuvendit të ri. PDK-ja është një parti e cila e respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe po e shihni qe sot nuk ka gaz as dhunë në Kuvendin e Kosovës. Por, PDK-ja nuk do t’i nënshtrohet vullnetit të askujt kur është fjala për krijimin e institucioneve të reja dhe nuk pranojmë nga askush që ‘ta na shesë sapunin për djathë”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj ka përsëritur qëndrimin se kandidatja e proklamuar për presidente Osmani “është figurë përçarëse” dhe se PDK-ja s’ka votë për të.
“Dhe askush nuk duhet të llogarisë në votën e PDK-së për zgjedhjen e presidentit. Dhe mos bëni pyetje teknike se a do të rrimë në sallë”.
“Zonja Osmani është faktor përçarës për qytetarët e Kosovës, e ka përçarë skenën e politikës dhe është faktorë i agresivitetit në skenën e saj politike”.
I pyetur se çka e bënte më unifikues Hashim Thaçin se Vjosa Osmanin, Hoxhaj tha se nuk jep opinione por vetëm fakte.