Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti miratimin e një rezolute në Kuvendin e Kosovës për qëllimet dhe objektivat e reja të dialogut me Serbinë, meqenëse, i pari i qeverisë thotë se nuk do të vazhdojë dialogun e vjetër, por të ri.
“Meqenëse kryeministri Kurti mendon që nuk do të vazhdojë dialogun e vjetër, por të ri. Atëherë sille në Kuvend të rezolutë të re, me qëllime të reja dhe objektiva të reja”, tha ai.
Në forumin “FOL Hapur” të Lëvizjes Fol, Hoxhaj renditi edhe dështimet e ekzekutivit në 100 ditët e para të qeverisjes.
“Kemi pa dështimin e qeverisë Kurti në tri nivele. Në nivelin e parë kemi pa se nuk ka program, së dyti nuk ka përmbajtje, shihni mbledhjet e qeverisë. Aty merren vendime burokratike dhe nuk profil kjo qeveri dhe mbi të gjitha kjo qeveri nuk ka standard. Po shohim nepotizëm, ministra me aktakuza. Nuk ka pasur qeveri më të dobët se qeveria Kurti në 100 ditët e para”, shtoi ai.