Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, potencoi se pret që takimin e javës së ardhshme të Njësive elitare të policisë me kryeministrin, Albin Kurti të gjendet një zgjidhje për kërkesat e tyre.
I pyetur nga gazetarët, Hoxha shtoi se shtesat e policëve duhet të rriten.
“Gjitha kërkesat e njësive tona ne i kemi procedua te Ministria e Punëve të Brendshme dhe po presim një takim të ardhshëm që këto t’i adresojmë. Për të parë të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme, që kërkesat e policëve të realizohen, dhe ne vazhdojmë punën tonë pa telashe, sepse kemi ngarkesa përgjegjësi dhe obligime për t’i shërbyer qytetarëve të këtij vendi dhe vendit tonë”, potencoi Hoxha.
Ndërkaq, lidhur me situatën në veri, Hoxha tha se është me plot ngarkesa. Ai shtoi se qeveria do të reflektojë për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët, sa i përket kërkesave të Policisë së Kosovës.
“Situata e sigurisë në veri ju e dini që është me plot ngarkesa, aktualisht është më e qetë se që ka qenë me datën 24 e tutje, mirëpo është brishtë për shkak të pa qëndrueshmërisë që është atje, sepse e dini veprimet që mund të kenë grupe kriminale po ashtu edhe armiqtë e Kosovës…Ne besojmë që do të ketë rezultat pozitiv, tash presim, vendimet e kryeministrit dhe prononcimet e tij, mund të komentoj, deklarimet politike të kryeministrit. Sidoqoftë ne do të jemi në bashkëpunim… Unë jam përfaqësues i Policisë së Kosovës dhe do të punoj që policët tanë të jenë të kënaqur me kërkesat e tyre dhe pastaj edhe qeveria do të reflektojë bashkërisht për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët…Ne mendojmë që duhet me qenë më e madhe”, tha Hoxha.
I pari i Policisë, Gazmend Hoxha tha se dorëheqje ka pasur dhe do të ketë në vazhdimësi në Policinë e Kosovës, sepse sipas tij ‘njerëzit gjejnë zgjidhje dhe mundësi më të mira se kjo’. Ai shtoi se po punojmë që të ‘mos vihet deri te kjo dorëheqje e njësive elitare’.
Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) dhe njësi tjera të Policisë së Kosovës, kanë pezulluar protestën e paralajmëruar për këtë të martë. Shkas i pezullimit ishte premtimi i kryeministrit Kurti, se javën e ardhshme do t’i pres në takim zyrtar për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre.
Njësia elitare e Policisë së Kosovës, më 1 nëntor kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë me kërkesën kryesore që rrezikshmëria në punë të caktohet në 50 për qind të pagës bazë.