UBT News

Hoxha dhe Seferi: Të arrijmë fitoren dhe stadiumin plot për të shënuar historinë

Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet e rëndësishme që do të zhvillohen në muajin shtator në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Për sfidat ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, sulmuesi Taulant Seferi dhe mesfushori Arbër Hoxha kanë dhënë prononcime përFederatatën Shqiptare duke ndarë objektivat dhe prirjet e tyre për këto ndeshje.

Arbër Hoxha ka theksuar përkushtimin e skuadrës për të arritur rezultate pozitive në dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve. Ai ka vlerësuar kundërshtarët dhe ka shpallur objektivin kryesor të Kombëtares: të renditet e para në grup. Hoxha e ka ftuar gjithashtu publikun shqiptar të mbështesë ekipin duke qenë prezent në stadiumin “Air Albania” për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë më 10 shtator.

“Ndeshja me Ukrainën është përparësia jonë e parë, Ukraina është një kundërshtar i fortë me lojtarë shumë cilësorë. Po përgatitemi maksimalisht dhe e kemi fokusin tërësisht në arritjen e një rezultati pozitiv”, ka thënë Hoxha.

Për ndeshjen me Gjeorgjinë në “Air Albania”, Hoxha ka shprehur emocionin e tij dhe ka bërë thirrje për mbështetje masive nga tifozët: “Do të jetë ndeshja ime e parë në ‘Air Albania’ dhe shpresoj që stadiumi të jetë i mbushur plot.”

Taulant Seferi ka përshkruar përgatitjet si të shkëlqyera dhe ka theksuar rëndësinë e përqendrimit në ndeshjen ndaj Ukrainës. “Kemi filluar përgatitjet dhe po punojmë shumë për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje. Ukraina është një kombëtare shumë e fortë fizikisht dhe duhet të përgatitemi në mënyrë të përsosur për të përballuar këtë sfidë,” tha Seferi.

Seferi gjithashtu ka shpallur objektivin për të nisur edicionin me fitore dhe për të vazhduar përgatitjet për ndeshjen e dytë kundër Gjeorgjisë. Ai e përfundoi intervistën me një thirrje për tifozët: “I bëj thirrje tifozëve që të mbushin ‘Air Albania’ në ndeshjen me Gjeorgjinë. I kemi pritur dhe mbështetur gjithmonë, dhe jam i sigurt që do të jenë aty për të mbështetur ekipin.”

Kombëtarja shqiptare e pret me entuziazëm fillimin e këtyre sfidave të rëndësishme dhe shpreson për një mbështetje të fortë nga tifozët në këto ndeshje vendimtare./UBTNews/

 

 

 

Exit mobile version