Ndërprerja e projekteve së Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Kosovë, e dëmton pozitën e SHBA-së në botë dhe shton rrezikun për vendet e cenueshme, ka thënë ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në një opinion të publikuar në “TheBellighamHarald”, Hovenier ka thënë po ashtu se shpërbërja e USAID-it dëmton padrejtësisht nënpunësit publikë dhe jopartiakë.
“Përpjekja e administratës Trump për të shpërbërë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dëmton interesat strategjike të SHBA-ve, dëmton reputacionin tonë ndërkombëtar, rrit rrezikun për popullatat më të cenueshme në botë dhe dëmton padrejtësisht nënpunësit publikë besnikë dhe jopartiakë”, ka shkruar Hovenier.
Ish-ambasadori amerikan ka përmendur edhe Kosovën.
“E di këtë mirë — deri gjashtë javë më parë, isha ambasador i SHBA-ve në Kosovë — një vend që ka një mision të madh të USAID-it. Kolegët tanë të USAID-it ishin një pjesë thelbësore e ekipit ndërinstitucional të ‘Country Team’ që unë drejtoja, duke mbështetur përpjekjet tona strategjike për të promovuar stabilitetin dhe prosperitetin në një cep të pasigurt të Evropës”, ka thënë ai.
Sipas tij, USAID është një mjet i vlefshëm i politikës së jashtme amerikane.
“Me më pak se 1 për qind të buxhetit federal, puna e kolegëve tanë të USAID-it është një investim i leverdishëm për Amerikën. Zvogëlimi ose eliminimi i programeve dhe stafit të USAID-it është një dhuratë për konkurrentët tanë. Investimet e Kinës në zhvillim në të gjithë botën janë rritur me 525 për qind gjatë 15 viteve të fundit; tërheqja e programeve dhe personelit zhvillimor të SHBA-ve zvogëlon ndikimin tonë dhe aftësinë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive zhvillimeve në rajone kyçe strategjike.”
“Dobësimi apo shkatërrimi i agjencisë nuk i shërben asnjë partie politike dhe është në dëm të të gjithë amerikanëve. … Edhe pse nuk biem dakord për të gjitha çështjet, ne jemi plotësisht dakord që USAID dhe programet amerikane të ndihmës së huaj janë jetike për interesat tona, se burrat dhe gratë profesionistë të USAID-it na kanë shërbyer mirë dhe se është detyra e administratës dhe Kongresit që të mbrojnë me shpejtësi rolin ligjor të agjencisë. Kjo përpjekje e administratës Trump për të shpërbërë USAID-in dëmton interesat prioritare të SHBA-së, mohon ndihmën jetike dhe trajton padrejtësisht shërbyesit publikë besnikë të SHBA-së”, ka shtuar ai.
Jeff Hovenier, së fundmi doli në pension pas 34 vitesh në shërbimin e Jashtëm të SHBA-ve. Detyra e tij e fundit ishte si ambasador i SHBA-ve në Kosovë.