Trajleri i filmit të famshëm “House Of Gucci” u ka ofruar fansave të tij, një pamje të parë të kastës së filmit.
Drama biografike është e bazuar në librin me të njëjtin titull “The House of Gucci: A Sensational Story of Murder Madness, Glamour, and Greed, të Sara Gay Forde, dhe është më regji të Sir Ridley Scott.
Filmi flet rreth vrasjes së monolitit të modës, Maurizio Gucci, personazh ky që luhet nga aktori i Star Wars, Adam Driver. Në këtë film luan edhe këngëtarja e famshme, Lady Gaga, në rolin e Patrizia Reggiani, ish-bashkëshortja e Maurizio Guccit, e cila ishte dënuar për orkestrim të vrasjes së tij, në vitin 1995.
Në një pjesë të trajlerit, Gaga dëgjohet duke thënë “Gucci ka nevojë për gjak të ri – është koha për të hequr plehrat”.
Jeremy Irons dhe Salma Hayek e cila në film është e martuar me pronarin aktual të Guccit, Kering, shfaqen po ashtu në trajler derisa nuk mungojnë as aktorët Al Pacino e Jack Huston.
Filmi i cili pritet të arrijë shumë në momentin që do të paraqitet për herë të parë në ekranin e madh, në fund të këtij viti, nuk ka ardhur pa kontradita.
Familja Gucci paraprakisht kishte shprehur shqetësimet lidhur me filmin e ri, duke thënë se është një ndërhyrje në jetën private të trashëgimtarëve të Guccit, dhe duke i bërë thirrje regjisorit të filmit Sir Ridley Scott të respektojë trashëgiminë e tyre familjare.
“Jemi shumë të zhgënjyer. Po flas në emër të familjes. Ata po vjedhin identitetin e familjes për përfitime të veta, për të rritur të hyrat e Hollivudit… familja jonë ka identitet dhe privatësi. Mund të flasim për çdo gjë, por, ekziston një kufi i cili nuk mund të kalohet”, ka deklaruar Patrizia Gucci.
Familja e cila nuk ka qenë e përfshirë në shtëpinë e modës për shumë vjet, ka deklaruar se do ta shikojë filmin para se të kalojë në hapat e radhës.
“House of Gucci” është paraparë të shfaqet premierë më 26 nëntor në Britani të Madhe.