Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, së bashku me ministrin në detyrë të Ekonomisë dhe Ambientit, Muhharem Nitaj kanë takuar menaxhmentin e Trepçës, ku u tha se viti 2020 ka qenë ndër vitet më të mira të prodhimit për këtë ndërmarrje, por situata vazhdon të jetë e vështirë, raporton Ekonomia Online.
Hoti ka përgëzuar bordin e Trepçës për stabilizimin e gjendjes, duke shtuar se pret që situata do të përmirësohet edhe më tej sipas biznes-planit që kanë përgatitur.
“Përgëzoj bordin për stabilizimin e gjendjes. Viti 2020 ka qenë ndër vitet më të mira të prodhimit sa i përket Trpeçës. Një plan-biznesi 3 vjeçar është dorëzu nga bordi në ministrinë e ekonomisë, do ta shikojmë punën e kësaj ndërmarrje bashkë me ministrinë”, shtoi ai.
Ndërsa, ministri Nitaj tha se Trepça nuk është në ditët e saja më të mira, por beson që për tre muaj do të rimëkëmbet.
“Trepça nuk është në ditët e saj më të mirë, por për tre muaj do të vendoset në këmbë e saj dhe të hiqet si barrë e ministrisë”, tha tutje ai.
Kryesuesi i Bordit te Trepçës, Sylejman Hyseni, tha edhe pse kanë pasur rritje të prodhimit, situata vazhdon të jetë e vështirë.
“Kjo situatë që jemi tani edhe pse kemi mbërritur me pasë prodhim më shumë, prapë kemi vështirësi”, tha Hyseni.