UBT News

Hoti: Varhelyi ka sjellë një lajm fantastik, BE-ja do t’i investojë 28 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim komisionerin Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi. Pas takimit, në një konferencë për media, Hoti deklaroi se komisioneri ka sjellë një lajm fantastik, atë të planit për investime dhe Rimëkëmbjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vlerë totale prej 28 miliardë euro.

“Komisioneri ka sjellë në Prishtinë një lajm fantastik, një lajm shumë të madh për Ballkanin Perëndimor e Kosovën, të planit të investimeve dhe Rimëkëmbjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vlerë totale prej 28 miliardë euro. Prej të cilave 9 miliardë euro janë grante që i jepen vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky është lajmi kryesor që Komisioneri sjell sot në Kosovë. E them me shumë kënaqësi që projektet që kemi propozuar si Qeveri, për tu bërë pjesë e këtij plani janë përfshirë plotësisht, përfshirë këtu autostradën dhe hekurudhën Prishtinë-Merdare, gazpërquesin nga Maqedonia e Veriut, trajtimin e ujerave të zeza në Prishtinë, fazën e dytë të Iber Lepencit, si dhe projekte të tjera”, deklaroi Hoti mes tjerash.

Kryeministri Hoti theksoi gjatë katër muajve të qeverisjes së tij e kanë larguar fjalën korrupsion nga diskursi publik.

“Ne kemi pranuar raportin nga Komisioni Evropian ku jepen vlerësime për sfidat që ka vendi, si dhe për vendosmërinë e kësaj Qeverie për të çuar përpara këto reforma. E them me kënaqësi që në katër muaj të Qeverisë tonë e kemi larguar fjalën korrupsion nga diskursi publik dhe kemi treguar vendosmëri të madhe në luftimin e krimit të organizuar”, deklaroi Hoti në një konferencë të përbashkët me komisionerin Varhelyi./UBTNews

Exit mobile version