UBT News

Hoti thotë se u dakordua me prodhuesit e qumështit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pati sot një takim me përpunuesit e qumështit. Pas takimit shefi i Qeverisë njoftoi se janë dakorduar në disa pika.

Hoti u zotua se Qeveria do të marrë përsipër në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike të subvencionojë prodhimin vendor përfshirë edhe prodhimin e qumështit në vlerë prej 25% të çmimit të 10 produkteve të qumështit që është në stok. Ai tha se qeveria ka marrë si obligim që ketë kontroll rigoroz të importit të vajit të palmës dhe importit të qumështit pluhur.

Pika e tretë në të cilën janë dakorduar qeveria dhe përpunuesit e qumështit është të qenurit aktiv të inspektoratit të tregut dhe AVUK-ut për t’u siguruar që në markete ndahen fizikisht produktet që janë me vaj palme dhe produktet që kanë bazë qumështin.

Qeveria ka marrë për obligim që të njihen humbjet në rast që qumështi duhet të derdhet dhe të mos jetë ngarkesë tatimore për bizneset.

“Në tregtinë e brendshme inspektorati me AVUK do të jenë aktiv për të inspektuar tregun. Ne morëm për obligim që të punojmë me ministrinë e Financave dhe Administratën tatimore që të përgatitet baza ligjore që të njihen humbjet nëse hedhet qumështi”, deklaroi ai mes tjerash.

Shefi i Qeverisë u ka bërë thirrje të mos dalin në protestë dhe të mos e hedhin qumështin.

Exit mobile version