Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke e akuzuar atë për mungesë të rezultateve gjatë mandatit të saj pesëvjeçar në krye të shtetit.
Në një deklarim për media, Osmani e quajti Hotin “njeriun më jorelevant”, duke thënë se nuk dëshiron të humbë kohë me të, ndërsa shtoi se akuzat për moszbatim të marrëveshjeve ndaj Kosovës vijnë vetëm nga Serbia.
Ndërkaq Hoti tha se Osmani po e përfundon mandatin pa ndonjë kontribut për shtetin dhe e cilësoi periudhën e saj si pesë vite demagogji dhe mashtrime.
“Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa. Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së,” ka shkruar Hoti.
Hoti kritikoi edhe heshtjen e saj ndaj vendimeve të organeve të drejtësisë që, sipas tij, vërtetojnë uzurpimin e institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj, përfshirë edhe partinë Guxo, të cilën e kishte themeluar vetë Osmani./Telegrafi