Sveçla në konferencë për medie të mërkurën paralajmëroi se policia dhe prokuroria shumë shpejt do të dalin me raport për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Pronare e këtij kompleksi është Agjencia Kosovare e Privatizimit, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Pse dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj se është një mësim për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm se nuk mund ta bëjnë. Për sa i takon pronësisë u sqaruam, për sa i takon menaxhimit të atij kompleksi Ministria e Punëve të Brendshme është rezultat i bashkimit të dy ministrive, asaj të Brendshme dhe Administratës Publike. Ish-ministrja e Administratës Publike ka departamentin e menaxhimit të objekteve të llojeve të këtilla në pronësi të shtetit. Kjo është arsyeja pse e kemi marrë në menaxhim dhe destinaconin final do të bëjmë me kohë”, tha ai.
Ai tha se për sulmin terrorist serb të 24 shtatorit janë duke bërë hetimet e tyre edhe KFOR-i dhe EULEX, mirëpo nuk e dinë se kur do të dalin me raport për hetimet e tyre.
“Policia e Kosovës së bashku me prokurorinë e cila udhëheq hetimet janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Kosovës. Patjetër se shumë shpejtë do të dalin me rezultatet preliminare, kjo është një ndër kërkesat që i kam adresuar policisë por edhe prokurorisë përmes policisë, që sa më shpejt ne të kemi një raport preliminar për të gjeturat për këtë rast, por edhe rastit të kidnapimit të tre policëve. Përgjegjësit kryesorë për hetim dhe për të ndërmarrë hapat e duhur por edhe për njoftimin e opinionit janë policia dhe prokuroria e Kosovës. Por, në të njëjtën kohë ne jemi në dijeni se KFOR-i dhe EULEX janë duke bërë hetimet e tyre. Nuk e di kur apo a do të dalin me raport për hetimet e tyre. Besoj se për këtë duhet t’i pyetni ata”, shtoi Sveçla.
Në lidhje me gjendjen aktuale të sigurisë në vend, Sveçla tha se institucionet e vendit janë vigjilente dhe të përgatitura për çfarëdo situate.
“Në vazhdimësi jemi duke bërë vlerësime të situatave dhe skenarëve të ndryshëm, por edhe përgatitjeve për çfarëdo lloj skenari që dëmton integritetin apo sovranitetin e Kosovës. Për sa i takon shteteve të tjera unë nuk kam ndonjë informatë që Mali i Zi ka të njëjtin qasje kriminale apo të njëjtat aspiratat pushtuese siç ka Serbia. Mund të ketë elemente apo ekstremist që vijnë nga një vend apo tjetër, por sa i përket politikës shtetërore ne nuk kemi informata të tillë…Ne jemi dëshmitarë që grupe të ndryshme ekstremiste qoftë nga Serbia, Republika Srbska, Mali i Zi por edhe nga Rusia kohë pas kohe kanë pasur ekskursione në territorin e Kosovës në të kaluarën. Por ne suksesshëm i kemi menaxhuar dhe neutralizuar ata që kanë qenë rrezik për shtetin e Kosovës. Nuk kemi asnjë informatë specifike për asnjë individ por jemi vigjilent për të parandaluar çfarëdo skenari”, theksoi Sveçla.
Sa i përket kërkesave të njësive të specializuara të policisë, Sveçla tha se do të bisedojë sot me përfaqësuesit e sindikatës për t’i parë mundësit se çka është e mundur ose jo për t’i realizuar kërkesat e tyre.
“Ne do të kemi një takim, ndër takimet e shumta që edhe unë dhe drejtori i policisë kemi me sindikatën e policisë ashtu siç kemi me sindikatat e institucioneve që ne i udhëheqim. Me këtë rast ne do të bisedojmë me ata në lidhje me këto kërkesa dhe do të shohim se çka është e mundur për të bërë dhe çka jo”, theksoi ai.
Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se do të angazhohet maksimalisht për t’i adresuar kërkesat dhe për të parë mundësinë e zgjidhjes së kësaj situate.
“Unë punoj me policinë dhe për policinë. Kërkesat e policisë do të mundohemi që maksimalisht t’i adresojmë dhe t’i shohim se cila është zgjidhja dhe mundësitë buxhetore që me e ecë përpara gjatë vitit të ardhshëm”, theksoi Hoxha.
Krahas kësaj Hoxha tha se s’ka individë të paprekshëm nga Policia e Kosovës dhe se secili që dyshohet se ka kryer vepër penale do të hetohet.