Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në New York, ka takuar homologun nga Hondurasi, Juan Orlando Hernández Alvarado.
Sipas komunikatës për media nga zyra e presidentes thuhet se “Marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë cilësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy presidentët kanë shfaqur gatishmërinë për thellimin e tyre”.
Presidentja Osmani ka theksuar se te Hondurasi e shohin partnerin për lobim te shtetet fqinje në Amerikën Qendore dhe atë Jugore për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas saj, nga Hondurasi pritet mbështetje edhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Teksa ka folur për gjendjen e përgjithshme në vend, Presidentja Osmani ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë duhet përfundojë me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe me rendin juridik aktualë.
Të dy presidentët u pajtuan që çështja e ndryshimeve klimatike dhe pasojat e saj duhet të bëhen prioritet i agjendës globale.