Kryeministri holandez, Mark Rutte njoftoi dje në mbrëmje fundin e bllokimit COVID-19 duke filluar nga 5 qershori, me një seri të re kufizimesh lehtësuese kundër virusit.
Numri i shtrimeve në spital dhe i rasteve të reja vazhdojnë të bien, duke lejuar hyrjen në fuqi të masa të reja lehtësuese më 5 qershor, katër ditë më herët nga sa ishte paralajmëruar më parë.
“Lehtësimet që do të hyjnë në fuqi më 5 qershor nënkuptojnë fundin e bllokimit”, tha Rutte gjatë një konference shtypi.
“Ne po ndërmarrim një rrezik të llogaritur, por nëse javën e ardhshme “na bie qielli mbi kokë” dhe numrat rriten sërish, ne do të përballemi me një situatë të re”, vazhdoi ai, raporton ATSh.
“Megjithatë, sipas shkencëtarëve që kanë këshilluar qeverinë që nga fillimi i epidemisë, kjo është e pamundur”, shtoi kreu i shtetit, i cili do të vaksinohet javën e ardhshme, sipas agjencisë holandeze të lajmeve ANP.
Qeveria holandeze kohët e fundit i dha fund shtetrrethimit dhe lejoi restorantet dhe kafenetë t’u shërbenin klientëve në tarraca.
Pronarët e restoranteve tani do të lejohen të shërbejnë në ambiente të mbyllura deri në orën 22:00.
Muzetë do të lejohen të hapen me një vizitor për metër katror dhe teatrot dhe kinematë do të jenë në gjendje të akomodojnë maksimumi 50 vizitorë.