Nga Paulina Neuding “Word Crunch”
Nils Grönberg ishte vetëm 19 vjeç kur u qëllua për vdekje, me një plumb në gjoks dhe një tjetër në fytyrë. Imazhet e trupit të tij të pajetë të shtrirë përtokë në një nga lagjet më të pasura të Stokholmit – zona rezidenciale shumë moderne Hammarby Waterfront – u përhapën me shpejtësi në mediat sociale.
Shumë suedezë e dëgjuan lajmin nga fëmijët e tyre. Nils Grönberg, ose “Einár” siç e quante ai veten, ishte një nga artistët më të njohur në Suedi. Dhe ndërsa suedezët e shtresës së mesme vazhdojnë të shpresojnë që fëmijët e tyre të qëndrojnë larg asaj që po ndodh midis bandave kriminale, vrasja e Einár-it vërtetoi edhe një herë se ky është një kaos, nga i cili mund të preken të gjithë.
Shumë prindër u befasuan kur zbuluan se fëmijët e tyre, kishin teoritë e tyre të ndërlikuara se kush ishte autori i vrasjes, bazuar tek ajo që ata dinin nga tekstet e reperit të njohur mbi konfliktet në botën e krimit në Stokholm. Dhe banorët e Hammarby-it, nuk ishin të parët që zbuluan se edhe të pasurit e kanë të vështirë të shmangin dhunën e bandave.
“Reperi gangster suedez”, mund të tingëllojë si një personazh i Sacha Baron Cohen. Por kjo rrymë muzikore është shumë e lidhur me luftërat midis bandave kriminale në vend. Me tekste të dhunshme, të cilat vështirë se mund të dallojmë nga mesazhet rekrutuese të Shtetit Islamik, repi përdoret për të ndërtuar markat e bandave kriminale, dhe për të treguar aftësinë e tyre për të ushtruar dhunë.
Einár, që kishte shumë precedentë penale, pavarësisht moshës së tij të re, bënte rep mbi pistoletën e tij Glock, mbi vrasjen e “minjve”, dhe madje shfaqej me granata dore në një nga videoklipet e tij. Reperi “Cuz”, që shfaqet në të njëjtën video, ishte dënuar më parë me 2 vite burg.
Pavarësisht kësaj ai është fotografuar me aktivisten e mjedisit Greta Thunberg. Por Einár dallohej nga reperët e tjerë gangsterë, pasi ai ishte fëmijë i 2 prindërve me origjinë suedeze, pjesë e elitës kulturore të vendit. Nëna e tij është një aktore e njohur, dhe vetë Einár mori pjesë kur ishte fëmijë në një shfaqje në Teatrin Mbretëror Dramatik në Stokholm.
Ai përmendte si frymëzim reperin e famshëm amerikan Eminem. Por ishte viktimë e dhunës së bandave edhe para ekzekutimit. Vitin e kaluar ai u rrëmbye, u abuzua seksualisht, u rrah dhe u fotografua nga një grup tjetër reperësh gangsterë, të cilët u përpoqën ta zhvatnin, duke kërkuar një shpërblim prej më shumë se 250.000 paund britanikë, teksa shpërndanë në mediat sociale foto poshtëruese për të.
Po ashtu u raportua mbi një përpjekje për të vendosur një bombë para shtëpisë së Einár. Por në përputhje me rregullat e gangsterëve, Einár refuzoi të merrte pjesë në hetimin e policisë dhe gjyqin që pasoi. Një nga të dyshuarit në komplotin e rrëmbimit dhe zhvatjes kundër Einár, u shpall artisti i vitit nga Radio Suedeze (SR).
Por ai nuk mundi të merrte pjesë në mbrëmjen gala për të tërhequr çmimin, pasi ishte në paraburgim. Më vonë, ai u mburr për këtë fakt në një nga këngët e tij. Sipas policisë, Einár ishte i lidhur me “Hijenat e Hasbit”, një grup kriminal që është aktualisht në një konflikt të armatosur me një grup rival mbi trafikun e drogës.
Përplasje të tilla përputhen me një model të njohur në Suedi, në ato që autoritetet i quajnë si zonat “e cenueshme” të Suedisë. Jordbro në periferi të Stokholmit, është një lagje e tillë. Në pranverën e vitit 2019, dy parukierë sirianë hapën një sallon në sheshin qendror të zonës.
Ata u vizituan shumë shpejt nga gangsterët vendas, të cilët u kërkuan një “taksë”. Parukierët refuzuan, e raportuan ngjarjen në polici, dhe dy persona u dënuan për zhvatje. Por ngacmimet vazhduan. Salloni u sulmua, dhe xhamat e tij u thyen. Ndërsa historia bëri bujë në media, anëtarët e komunitetit lokal u dyndën tek parukierët duke e simpatizuar qëndrimin e tyre.
Edhe kryetarja e bashkisë, socialdemokratja Meeri Wasberg, shkoi për të shprehur mbështetjen e saj ndaj tyre. Por kërcënimet vazhduan edhe gjatë kohës që ajo ndodhej në sallon. Wasberg shkroi më vonë në Facebook:“Gjatë kohës që isha ulur atje, një i ri me kapelë futi kokën brenda, dhe u tha parukierëve se duhet ta mbyllin sallonin brenda 1 ore… Ai nuk tha se çfarë do të ndodhë nëse nuk e bënin këtë. Por kjo mund të merret me mend”.
Kur televizioni TV4 dërgoi një gazetar në zonë për të investiguar mbi atë ngjarje, ai u sulmua në mes të sheshit. Pra duket se bandat kriminale janë më të forta se shteti suedez. Në fund policia u detyrua t’i këshillojë parukierët të qëndrojnë larg lagjes Jordbro.
Që atëherë sirianët janë shpërngulur dikur tjetër, dhe tani mund ta vizitojnë lagjen e tyre të vjetër vetëm nën shoqërimin e policisë. Ata vazhdojnë të jetojnë nën mbrojtjen e policisë. Po sa histori të tilla mbeten të pa rrëfyera, vetëm sepse viktimat nuk guxojnë që të rrezikojnë të paguajnë të njëjtin çmim?
Policia publikon një herë në vit një listë me zonat e rrezikshme si Jordbro, duke i ndarë ato në “cenueshme”, “veçanërisht të pambrojtura”, dhe “zona të rrezikuara”, në total rreth 60 zona. Këto janë zona të karakterizuara nga kriminaliteti i lartë, nga mosgatishmëria e banorëve për të marrë pjesë në proceset gjyqësore, dhe nga fakti se grupet kriminale konkurrojnë shtetin për kontrollin e territorit.
Politologu dhe shkrimtari Peter Santesson ka bërë një zbulim të jashtëzakonshëm, që është konfirmuar edhe nga studiues të tjerë, gjatë kohës që po përpilonte një listë të zonave në Suedi, ku përqindja e banorëve që nuk kanë lindur në Suedi, është më e lartë se 30 për qind.
Pasi eliminoi listën e zonave pranë kufirit dhe rezidencat studentore, ai vuri re se indeksi i tij sasior, përputhej në mënyrë të përsosur me listën e policisë mbi zonat më të rrezikshme. Kësaj të fundit i mungonte vetëm një lagje, zona e Valstës. Variablat si masa e integrimit, cilësia e shkollimit, dhe burimet e policisë mund të ndryshojnë në zona të ndryshme. Por numri i madh i emigrantëve në një zonë, është i lidhur ngushtë me paligjshmërinë dhe sundimin e bandave.
Ky është një lajm i keq për një vend që ka pranuar më shumë refugjatë për frymë në vitet e fundit, se sa çdo vend tjetër në Evropë, dhe që ka pasur shumë shpresë për gjetjen e mjeteve efektive në integrimin e tyre. Njëzet për qind e popullsisë së Suedisë ka lindur jashtë vendit, dhe kjo përqindje është rritur me një ritëm të shpejtë.
Kjo shifër ishte vetëm 11 për qind në vitin 2000. Sipas një studimi të vitit 2018 nga kriminologu Amir Rostami, shumica e të përfshirëve në krimin e organizuar janë emigrantë të gjeneratës së parë ose të dytë. Rostami identifikoi 15.000 individë të përfshirë në krimin e organizuar, një numër shumë i madh për një vend me vetëm 10 milionë banorë.
Janë këta kriminelë dhe bandat e tyre të organizuara, ata që prodhojnë dhunës e shtuar me armë dhe shpërthimet e bombave. Sipas një studimi të fundit nga Këshilli Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit, Suedia ka aktualisht normat më të larta të dhunës vdekjeprurëse nga armët nga pothuajse 24 vende evropiane të anketuara, me 4 të vrarë për 1 banorë, krahasuar me mesataren evropiane që është vetëm 1.6.
Dhe kultura e re e sulmeve me bomba në Suedi, nuk ka asnjë shembull të afërt në Perëndim. Vetëm këtë vit, në Suedi ka pasur mbi 110 sulme me eksploziv. Kjo është arsyeja pse gazeta më e madhe gjermane, Bild, e ka quajtur kohët e fundit Suedinë si “vendin më të rrezikshëm të Evropës”.
Kjo është edhe arsyeja pse suedezët e përmendin në mënyrë të përsëritur në sondazhe krimin, si shqetësimin e tyre kryesor. 90 për qind e të anketuarve në një sondazh të fundit nga Universiteti i Goteborgut, kërkuan dënime më të ashpra për bandat kriminale./abcnews.al