UBT News

Historia e Kosovës në tri pullat e reja postare – Një dëshmi e rrënjëve parahistorike!

Posta e Kosovës ka prezantuar sot një emision të veçantë të pullave postare të titulluar “Antropomorfet”, një projekt që ndriçon dhe ruan trashëgiminë e lashtë të Kosovës. Ky emision përfshin tri pulla postare, të cilat paraqesin figurinat me formë njerëzore, të punuara nga dora e njeriut, që datojnë nga periudha parahistorike, një dëshmi e kulturës dhe artit të popullatave që kanë banuar në këto troje.

Figurinat antropomorfe, të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Kosovë, i përkasin periudhave të ndryshme, duke filluar nga epoka e neolitit e deri në antikitet. Ndër lokalitetet e njohura ku janë zbuluar këto artefakte janë Bardhoshi, me zbulime që datojnë rreth 5000 vjet p.e.s., Barileva, Tjerrtorja – Prishtinë, Fafos – Mitrovicë, si dhe shumë vende të tjera që kanë dhënë prova të pasura të ekzistencës dhe zhvillimit kulturor në këto rajone. Këto figura antropomorfe pasqyrojnë besimet, jetën shpirtërore dhe praktikat e lashta të banorëve të hershëm të Kosovës, duke përbërë një pjesë të vyer të trashëgimisë kulturore të vendit.

Përmes këtyre pullave, Posta e Kosovës synon jo vetëm të mbrojë dhe të promovojë këtë trashëgimi të rëndësishme, por edhe ta prezantojë Kosovën në skenën ndërkombëtare. Pullat, të cilat shfaqin rrënjët e thella dhe historinë e pasur të popullit të Kosovës, janë një ftesë për qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që të marrin pjesë në këtë përvojë unike, duke ndihmuar në ruajtjen dhe përhapjen e këtij thesari kulturor.

Ky emision i ri jo vetëm që përbën një element të rëndësishëm për koleksionistët dhe historianët, por edhe nxit krenarinë kombëtare, duke bërë që trashëgimia e Kosovës të jetë e njohur dhe e çmuar në mbarë botën./UBTNews/

Exit mobile version