Në 10 korrik 1952, në periferi të Tiranës, u shënua fillimi i një kapitulli të rëndësishëm për historinë e kinematografisë shqiptare: themelimi i Kinostudios “Shqipëria e Re”. Kjo ndërtesë, e njohur për stilin neoklasik të saj, u bë shtëpia e filmit shqiptar dhe një qendër e rëndësishme për prodhimin kinematografik në vend.
Nisja ishte me një frymëzim të madh, ku filmi i parë i prodhuar ishte “Skënderbeu” në bashkëpunim me sovjetikët në vitin 1953. Pas tij, filmi “Tana” i vitit 1958 vazhdoi të ndriçojë rrugën për prodhimin vendas të filmit. Pas këtyre fillestrave, Kinostudio “Shqipëria e Re” prodhoi 270 filma me metrazh të gjatë, 700 dokumentarë dhe 150 filma të animuar gjatë një periudhe të gjatë kohore.
Në vitet ’80, prodhimi kinematografik arriti kulmin me 14 filma në vit, një sukses i vazhdueshëm për industrinë e filmit shqiptar. Megjithatë, me ndryshimin e sistemit politik në vend, edhe struktura e Kinostudios u transformua. Nga “Shqipëria e Re” u bë “Albafilm”, për të shndërruar më pas në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë deri në vitin 1996.
Në kohën e sotme, godina e njohur e Kinostudios “Shqipëria e Re” përdoret nga Ministria e Kulturës dhe shërben si Qendra Kombëtare Shqiptare e Kinematografisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, dhe struktura të tjera kulturore. Trashëgimia e kësaj qendre është e shquar për mbi 200 filma, të cilët, pavarësisht kornizave ideologjike dhe sfidave teknike të kohës, mbeten pjesë e thellësisë kulturore dhe historike të Shqipërisë./UBTNews/