Muzeu Historik Kombëtar nderoi sot figurën e shquar të Vinçenc Prennushit (1885-1949), një personalitet shumëdimensional i Kishës Katolike, që ka lënë një ndikim të thellë në kulturën dhe historinë shqiptare. Prennushi ishte klerik, publicist, poet, mbledhës i folklorit dhe përkthyes, dhe një nga figurat më të rëndësishme të epokës së tij.
Lindur në Shkodër, ai ndjek shkollën françeskane dhe seminarin e Troshanit, ku forcoi bazat e tij të edukatës fetare dhe intelektuale. Në vitin 1908, përfundoi studimet e larta për filozofi dhe teologji në Insbruk të Austrisë dhe u shugurua meshtar. Pas kthimit në Shqipëri, Prennushi u angazhua në arsim dhe administratë, duke mbajtur postin e mësuesit dhe më pas të drejtorit të Kolegjit Françeskan në vitin 1920.
Një kontributor i rëndësishëm i letërsisë shqiptare, ai mori pjesë në Komisionin Letar Shqiptar të Shkodrës dhe drejtoi dy revista të njohura: “Zani i Shna Ndout” gjatë viteve 1918-1929 dhe “Hyllin e Dritës” nga 1921 deri në 1924. Vepra e tij më e rëndësishme është përmbledhja përshpirtëshme “Gjeth e lule” (1924, 1931), që fitoi popullaritet të madh për thellësinë dhe ndjeshmërinë e saj.
Në vitin 1936, ai u emërua ipeshkëv i Dioqezës së Sapës dhe më pas arkipeshkëv i Durrësit e i Tiranës në vitin 1940. Pas vitit 1944, Prennushi u tërhoq në fshatin Delbnisht të Laçit dhe, në vitin 1946, ai mori udhëheqjen e Kishës Katolike Shqiptare.
Në vitin 1945, ai ishte një nga anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve. Megjithatë, pas vitit 1947, ai u arrestua dhe u dënua me 20 vjet punë të detyrueshme. Vdekja e tij ndodhi në burgun e Durrësit, duke e bërë një martir të Kishës Katolike dhe një figurë të pavdekshme në historinë shqiptare./UBTNews/