Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Hidrodrini’, në Pejë ka njoftuar se për shkak të reshjeve atmosferike të fundjavës, e të cilat po vazhdojnë, e të cilat kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujërave sipërfaqësore, janë paraqitur turbullira në disa prej burimeve të zonës së mbulueshmërisë.
Ekipet e terrenit të KRU ‘Hidrodrini’, në tërë zonën e mbulueshmërisë, komunat Pejë, Istog, Deçan, Klinë dhe Junik vazhdojnë të përcjellin nga afër situatën e krijuar dhe gjendjen e burimeve, pasojë e reshjeve të pandërprera që vazhdojnë.
“Peja: Burimi i Radavcit (Drini i bardhë) që furnizon pjesën veri-lindore të qytetit dhe fshatrave të Pejës, që nga Rrokaqielli. Istogu: Burimi kryesor, Burimi i Mbivades. Deçani: Burimi i CDF-së që furnizon Dubovikun, Prapaqanin, Papiqin dhe Krushecin. Klina: Burimi i Jarines. Juniku: Burimi i Shkozes që furnizon lagjen ‘Agim Ramadani’. Konsumatorëve të cilët furnizohen nga këto burime, ju bëhet thirrje që ujin për pije, ta konsumojnë të vluar. Ekipet e kompanisë vazhdojnë të kryejnë edhe dhjetëra intervenime në lirimin e pusetave dhe kanalizimeve nëpër zonat e prekura që janë nën kompetencën e kompanisë”, thuhet në njoftim.
Sipas IHMK-së, reshjet pritet të vazhdojnë edhe në fillimjavë, andaj edhe masat tona të gatishmërisë mbeten në fuqi.